oraeshqipes

DREJTSHKRIMI I FONEMAVE “Ç, Q” dhe “Xh, Gj”

Administrator Administrator Postuar: 29 Prill, 2024

0 Shikime

Komente


DREJTSHKRIMI  I  FONEMAVE   “Ç, Q” dhe “Xh, Gj”

DREJTSHKRIMI I FONEMAVE “Ç, Q” dhe “Xh, Gj”

Çështja e përvetësimit të gjuhës standarde është problem i rëndësishëm shoqëroro-kulturor. Prej kësaj del edhe detyra e të gjitha institucioneve tona shkencore, arsimore, kulturore, politike, sikundër edhe i individëve që t’i rreken problemit të zotërimit të saj. Megjithëkëtë, sot na dalin edhe probleme të imta, të cilat nëse nuk i vëmë re që nga paraqitja e parë, s’do mend se ato do të trashen dhe me kalimin e kohës, aq më vështirë do t’i mënjanojmë ato. Pra, këtij problemi aktual i duhet kushtuar kujdes që nga puna me nxënës të shkollës fillore. Ky mision shumë i rëndësishëm në radhë të parë u takon arsimtarëve.

Për ta parë shkallën e përvetësimit të gjuhës standarde shqipe, përkatësisht tërësinë e rregullave gjuhësore, do të ndalemi në njërën prej këtyre rregullave - në atë të drejtshkrimit.

Drejtshkrimi luan një rol mbizotërues në përvetësimin e gjuhës letrare shqipe. Pra, jo njëherë, nëpër shkollat tona dëgjohen nga nxënës, e pse jo edhe nga arsimtarë emërtime të gabuara të këtyre fonemave të lartshënuara, si: “ç, xh” (e fortë), përkatësisht si “q, gj” (e butë), thuajse kemi të bëjmë me veti fizike “e fortë, e butë”. Mbase kemi dëgjuar edhe “ ë"-ja (pa zë), në vend që të thuhet zanorja “ ë ” ose prapashtesa “-ë.” Tanimë, kur e kur për këto dy fonema i kemi edhe emërtimet e drejta shkencore, si: ç/xh afrikate, dhe q/gj palatale a qiellzore dhe jo “efortë e butë”?! Rreth kësaj, sekush pyet arsimtarë të gjuhës shqipe se kur fjala shkruhet me këtë “q” apo “ç” për të mos rënë në lajthitje drejtshkrimore? Pra, kjo më ka nxitur që këtë rregull ta trajtoj në vijim.

Fillimisht, për ta shpënë këtë temë më tutje nuk mund pa përmendur palatalizimin e bashkëtingëlloreve, që është një altrnim i vjetër historik. Në gjuhën shqipe palatalizohen apo qiellzohen kryesisht “k, g” dhe “ ll ” në tingujt “q, gj” dhe “j.” Kjo çështje komplekse mund të shtrohet vetëm në një rrafsh të caktuar duke u ndjekur nga një rrugë historike kur gjysmëzanorja “ i ” ka dhënë “k:kj:q” p.sh.:

mik:miki:mikj:miq,

fik:fiki:fikj:fiq,

ka:kie:kje:qe.


Ose

gluhë:gijuhë:g-juhë:gjuhë,

gluni:gijuni:g-juni:gjuri,

glumë:gijumë:g-jumë:gjumë

(Te Buzuku)

Në fakt, sipas kësaj rregulle historike lë të kuptohet se “q”-ja po u përftuaka nga një “ kj ” ose “ gj”-ja nga një “ kl, gl ”. Prandaj me “q” qiellëzore shkruhen fjalët, si:

qafë, qepë, qen, qengj, qëllim, qilim, qelizë, qershi, qarr, qytet, qelibar, qofte, qoftere, qoshk, paqe, shqipe, i keq, i kuq; Qamil, Qemal, Beqir, Zeqir, Eqrem, Maliq etj.; ose me “gj”: gjuhë, gjumë, gjëmë, gjak, gjarpër, gjel, ngjyrë, gjuetar, i gjatë, i gjerë; Gjon, Gjylë, Gjelil, Gjelal; Gjirokastër, Gjakovë, Gjilan, Gjenevë, Gjermani, etj.

Ndërkaq drejtshkrimi i afrikateve “ç/xh”, natyrshëm ndërlidhet ngushtë me nyjëtimin e tyre si bashkëtingëllore alveolare. Zaten, për drejtshkrimin e “ç-”së afrikate mund të themi se kjo është një shkrirje e “ t+sh”-së dhe ngandonjëherë edhe “d+sh”-së. P.sh.:

I vogli i një lope prej një “vitsh”, quhet “viç”. Ti voglush sa vjeç je? (Kujto vjetsh); i përveçëm (nga i përvetshëm); problem i sotshëm (dikur i soçëm); i moçëm (nga i motshëm); përmendsh (nga përmeç). etj.

Pra, me afrikaten “ç” shkruhen fjalët:

çun, çupë, çadër, çaj, çajtore, çamçakëz, çast, çorape, veçmas, veçanërisht, çek, çizme, çmim, i veçantë, përveç; Bytyç, Thaç, Paçariz, Buçaj; ose me “xh”: xhan, xham, xhade, xhamaprerës, xhaketë, xhezve, oxhak, xhenet, xhami; Rexhep, Xhavit, Xhevdet, Xhezide, Xhafer, Haxhi, Xheladin etj.

Së këndejmi shmangia e rrugës drejtshkrimore e këtyre fonemave dhe i zëvendësimit të njërës me tjetrën, jo vetëm që bën shkarje drejtshkrimore, por edhe do ta bjerrë kuptimin e fjalës përkatëse, shih si duket zëvendësimi i “q”-së me “ç-në,” të cilat janë vënë re të përdorura gabimisht jo vetëm nga nxënësit, por edhe nga kategoritë e tjera:

çaj / qaj

fuçi / fuqi

paçe / paqe

çuka /quka

P.sh.:

1. Dje kam "çarë" për nënën.

2. Nga fizika mësuam për "fuçinë".

3. Sot jetojmë në "paçe".

4. Kur t’i pashë ato “çuka” në faqe.

Sikundër shihet nga shembujt, “ç”-ja ia ka zënë vendin “q”-së dhe, jo vetëm që janë lëshuar gabime drejtshkrimore, por edhe kuptimore sepse:

Kam “çarë ” është fjala për “çaj ” dru e jo “qaj” me lot;

Mësuam për “fuçinë”, ka treguar enën, e jo “fuqinë” si forcë fizike;

Jetojmë në “paçe”, ka treguar llojin e një gjelle, e jo të qenët në liri, “paqe/paqja”;

Ato “çuka”, ka treguar për kodra e jo “quka” në faqe (gropëza) etj. Pra kudo “ç”-ja është shkruar gabimisht duke ia zënë vendin e “q"-së

Sidoqoftë, duke përfunduar le të theksojmë se nëse nxënësit nuk i kanë përvetësuar rregullat e drejtshkrimit që nga fillorja e deri sa ta mbarojnë shkollën e mesme të lartë, mund të përfundojmë me të drejtë se shkolla si institucion i arsimit nuk e ka realizuar misionin e vet në planin e përvetësimit të gjuhës standarde shqipe.

-Prof. Hamdi Mazreku

Administrator
Autor

Administrator


Lidhu me ne

Merri të rejat e fundit në inboxin tuaj